Sherr te “Syri i Kaltër” për një çelës biçiklete, administratori përfundon me fraktura, një i arrestuar

Nga A2 CNN
12 Korrik 2026, 21:16 | Kronikë

Sherr te “Syri i Kaltër” për një çelës

Një konflikt për pagesën e dëmit të shkaktuar nga humbja e çelësit të një biçiklete ka përfunduar me dhunë në parkimin e “Syrit të Kaltër”, duke lënë të plagosur administratorin e një subjekti që jep biçikleta me qira.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 të së dielës, ndërsa Salla Operative e Komisariatit të Sarandës u njoftua për një konflikt në zonën e parkimit të parkut natyror. Menjëherë në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë, të cilat shoqëruan në komisariat të gjithë personat e përfshirë.

Nga hetimet paraprake rezulton se gjatë konfliktit, shtetasi A. H., 43 vjeç, banues në Kamëz, ka goditur me sende të forta administratorin e subjektit, A. L., 27 vjeç, i cili ka pësuar fraktura. I riu ndodhet në spital dhe, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetën.

Policia dyshon se në konflikt janë përfshirë edhe A. H., 45 vjeç, vëllai i të arrestuarit, si dhe S. Ç., 20 vjeç.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, 43-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ndërkohë, vëllai i tij, 20-vjeçari dhe administratori i subjektit u proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos