Dhjetë ditë pas sherrit të dhunshëm në një lokal në Lezhë, policia ka ndaluar Gëzim Ndokën, vëllanë e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Por, pas shoqërimit në polici, 53-vjeçari është lënë i lirë, pasi Prokuroria ka vendosur që ai të hetohet në gjendje të lirë.
Ndërkohë, vijon të jetë ende në kërkim policor djali i tij, Kevin Ndoka, 20 vjeç, i dyshuar si i përfshirë në konflikt, shkruan A2 CNN.
Ngjarja ka ndodhur më 12 janar, në një lokal në qytetin e Lezhës, ku nga sherri mbetën të lënduar dy kushërinjtë Gjergj dhe Nikolin Marku.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në spital, ata u paraqitën në Komisariatin e Policisë së Lezhës, ku kanë deklaruar se Gëzim dhe Kevin Ndoka kanë qenë të armatosur dhe i kanë goditur me sende të forta në kokë, përfshirë edhe me qytën e një pistolete, sapo kanë hyrë në ambientet e lokalit.
Sipas dëshmive, dyshohet se mes palëve ka pasur konflikte të mëparshme, ndërsa sherri ka nisur pasi Gëzim Ndoka dhe djali i tij u kanë kërkuar kushërinjve Marku të ulin zërin.
Gëzim Ndoka është vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka, i cili është një nga 27 personat e dërguar për gjykim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”. (A2 Televizion)