
Biznesmeni Mirton Lika ka depozituar kallëzim penal ndaj biznesmenit Nadir Çausholli, pas një konflikti të ndodhur më 6 korrik 2026 në rrugën “Ibrahim Rugova” pranë godinës “Sky Toëer” në Tiranë.
Lika ka deklaruar se teksa po shkonte drejt zyrës së tij, ka konstatuar disa persona duke montuar një pajisje karikimi për automjete elektrike pranë objektit. Ai pretendon se u ka kërkuar punonjësve informacion lidhur me dokumentacionin dhe lejen për vendosjen e pajisjes, pasi, sipas tij, çështja lidhej me një procedim të hapur pranë Prokurorisë së Tiranës.

Në kallëzim thuhet se një pajisje e ngjashme, e vendosur më herët në të njëjtën zonë, ishte sekuestruar nga autoritetet kompetente si e paligjshme. Sipas Likës, punonjësit nuk kanë paraqitur dokumentacionin përkatës dhe më pas në vendngjarje është njoftuar policia.
Në zonë ka mbërritur fillimisht një patrullë e Policisë së Shtetit, e cila ka kryer verifikimet paraprake dhe më pas ka njoftuar Policinë Bashkiake, pasi çështja lidhej me ndërprerjen e punimeve dhe dokumentacionin administrativ.

Biznesmeni pretendon se gjatë kohës që priste mbërritjen e Policisë Bashkiake, Nadir Çausholli iu afrua në mënyrë kërcënuese dhe më pas situata degradoi në konflikt verbal. Sipas kallëzimit, Çausholli goditi me shqelm një karrige në drejtim të Likës, i cili pretendon se arriti t’i shmangej goditjes. Në denoncim thuhet gjithashtu se pati fyerje dhe sharje ndaj tij. (A2 Televizion)