Sherri për truallin, vrasja e biznesmenit Reçi, dërgohen në gjyq 2 vëllezërit

Nga Armand Bajrami
24 Nëntor 2025, 15:18 | Kronikë

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimin ndaj dy vëllezërve të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi, nëntorin e vitit 2024 në kryeqytet.

Dosja në ngarkim të të pandehurve Florian Duka dhe vëllait të tij, ish-oficer policie, Shkëlqim Duka, është depozituar në gjykatë ku kërkohet gjykimi i tyre për “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpinim, “armëmbajtje pa leje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.

Për Prokurorinë e Tiranës vrasja e biznesmenit Reçi, që u qëllua me snaiper nga ish-efektivi i Duka, para lokalit të tij pranë Rrugës së Elbasanit, është kryer me paramendim dhe për interes pasuror.Dy vëllezërit kanë pasur një konflikt me biznesmenin Reçi, për shkak se kishin ndërtuar prej vitesh një lokal pa leje, një pjesë e të cilit ndodhej në tokën e viktimës, shkruan A2 CNN.

Një plan i Reçit për të ndërtuar një pallat në truallin e tij binte ndesh me interesat e tyre dhe për këtë, sipas prokurorisë, planifikuan ekzekutimin e tij. Referuar hetimit, dy vëllezërit kanë siguruar një armë më dylbi. Një prej tyre ka bërë herët edhe qitje provë dhe më pas kanë studiuar me imtësi dhe përcaktuar kohën dhe vendin e vrasjes dhe vendin ku do të qëndronte qitësi. Sipas një plani të detajuar, ata kanë vendosur që vrasjen e shtetasit Eduart Reçi ta realizonin natën me qëllim që të mos ekspozoheshin dhe identifikoheshin nga kamerat e sigurisë në zonë apo dëshmitarë të rastësishëm. Prokuroria thotë se për të nxjerrë në pritë viktimën, një prej tyre ka hedhur fishekzjarrë në oborrin e lokalit të viktimës, me qëllim që ai të dilte jashtë ku më pas vëllai tjetër dyshohet se e qëlloi me snajper. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos