Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion duke arrestuar 11 persona që shfrytëzonin vajza të huaja për prostitucion.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se mes të arrestuarve është edhe një oficere policie. Mësohet se oficerja e policisë e arrestuar është Anisa Brahja. Ajo kishte rolin e dhënies së ndihmës në aktivitetin kriminal, duke njoftuar nëse do të kishte operacione policore.
Sipas hetimeve ka rezultuar se shtetasja kolumbjane, organizatore e këtij aktiviteti kishte punësuar në vendin tonë një taksixhi i cili priste vajzat e huaja në Rinas, njëkohësisht i dërgonte asaj lekët jashtë vendit, në Kolumbi, përmes Bitcoin-it. Çmimet që paguheshin nga klientët varionin nga 200 deri në 250 euro.
Grupi kriminal kishte detyruar rreth 50 vajza të huaja të punonin si prostituta në kushte të pasigurta.
Në lidhje me këtë operacion janë lëshuart 9 masa arrest me burg dhe 2 arrest shtëpie, për shkak se janë nëna me fëmijë të vegjël. Sipas burimeve mësohet se organizatorja ishte një 48 vjeçare kolumbiane. Aktiviteti kriminal kryhej në banesa të marra me qira, në AirBNB.
Arrestimet janë bërë me urdhër prokurorie e vendime gjykate në Tiranë, ndërkohë që në orët në vijim priten detaje shtesë për këtë operacion.
Kujtojmë se të rejat që vijnë nga shtete të ndryshme të botës për të ushtruar prostitucion në Shqipëri, janë kthyer në ‘modë’ kohët e fundit dhe kanë gjetur një përhapje të madhe në kryeqytet. (A2 Televizion)