Dymbëdhjetë vjet pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, krim për të cilin drejtësia shqiptare ka fajësuar vetëm biznesmenin Arben Frroku, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ngriti dyshime për një tjetër person të përfshirë në krim.
Në seancën e së enjtes të dosjes “Plumbi i artë”, i penduari Dumani, tregoi njohjen e tij me të pandehurin Henrik Hoxhaj, pasi kishte dalë nga burgu për vjedhjen e dy makinave, duke lidhur emrin e tij me vrasjen e kryekomisarit.
“Kur dola nga burgu fola me Festim Qolin. I thashë që pata një debat me një shef policie të Komisariatit nr. 6, Dritan Lamajn. Se më qëlloi disa herë kur u arrestova. Po kur dola mora vesh që e kishin vrarë. Mu bë qejfi për këtë. I thashë Festës, po ti dikush janë, do ju jepja një drekë atyre çunave që e kanë bërë. Më tha Festimi, do ja japësh se vëllai jonë është. Ai e kishte fjalën për Henrik Hoxhajn.”
Në vijim, në përgjigje të pyetjeve të avokates së të pandehurit Altin Ndoci, Dumani rrëfeu se automjetin që ishte përdorur nga atentatorët në vrasjen e Dorian Shkozës ia kishte dhënë Florenc Çapja.
Ai tregoi se bëhej fjalë për një “Mercedes”, që Florenci e kishte njohur teksa e kishte parë të djegur në kronikat televizive.
“Më ka shkruar Florenci në SKY”, tha Dumani. “I konfirmova që ajo ishte makina. Ai më tha: Mendova se do të bëje ndonjë surprizë këtej nga ne”.
Teksa foli për përgatitjet për këtë ngjarje, Dumani tregoi se kishte blerë një telefon të enkriptuar SKY në një dyqan pranë qendrës të Tiranës. Dumani ndau detaje edhe për një vrasje të pafinalizuar, të një të afërmi të Besmir Haxhias, vrasje për të cilën kishin ndarë rolet dhe se do të paguheshin 60 mijë paund. (A2 Televizion)