Shkaktoi aksidentin me dy viktima, Gjykata e Vlorës lë në burg italianen

Nga A2 CNN
5 Shtator 2025, 10:45 | Kronikë

Shkaktoi aksidentin me dy viktima, Gjykata e Vlorës lë në burg

Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasen italiane Angela Panzillo, 28 vjeçe, e akuzuar për aksidentin e rëndë në autostradën Vlorë–Fier.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se vendimi u dha nga gjyqtari Fjoralb Behari, ndërsa ndaj saj rëndon akuza “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar në paragrafin e katërt të Kodit Penal, që parashikon dënime të rënda në rastet kur si pasojë e shkeljeve humbin jetën një ose më shumë persona.

Aksidenti ndodhi disa ditë më parë në aksin Vlorë–Fier, ku automjeti i drejtuar nga 28-vjeçarja me origjinë nga Napoli humbi kontrollin dhe u përplas me një tjetër automjet.

Përplasja rezultoi fatale për dy shtetas shqiptarë, të cilët humbën jetën. Gjatë aksidentit, drejtuesi i mjetit tip kamionçinë humbi jetën në vend, kurse disa orë më vonë ndërroi jetë në ambjentet e spitalit edhe pasagjeri.

Forcat e policisë dhe zjarrfikësit mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa Panzillo u arrestua në flagrancë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos