“Përgjaken” rrugët në verë, më pak aksidente më shumë viktima, të rinjtë ndër shkaktarët kryesorë

Nga Xhensila Kodra
4 Shtator 2025, 16:20 | Kronikë

Nga janari deri në korrik të këtij viti janë regjistruar gjithsej 767 aksidente rrugore në të gjithë vendin, duke shënuar një ulje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, muajt e verës, veçanërisht gushti, kanë sjellë një përkeqësim të situatës në rrugë.

Vetëm gjatë muajit gusht janë shënuar 14 viktima, një rritje shqetësuese që ngre alarmin për masat e sigurisë rrugore në sezonin turistik, kur lëvizjet dhe fluksi në trafik rriten ndjeshëm.

Në total, gjatë shtatë muajve të parë të vitit, janë aksidentuar 1,077 qytetarë, një tregues tjetër domethënës i përmasave që vazhdon të ketë fenomeni, pavarësisht uljes së numrit të aksidenteve.

Për pasojë 116 persona kanë ndërruar jetë, 32 më shumë sesa në 7 muajt e parë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, të dhënat tregojnë se të rinjtë mbeten ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve. Shoferët nën 25 vjeç janë përfshirë në 166 aksidente, ndërsa 23% e totalit të tyre janë shkaktuar nga drejtues mjetesh në grupmoshën 25-34 vjeç.

Sipas ekspertëve të sigurisë rrugore, mungesa e përvojës së tyre në rrugë, shpejtësia e lartë dhe pakujdesia në timon vijojnë të jenë shkaqet kryesore.

“Ndikojnë dhe ndryshimet e Kodt Rrugor që nuk ka pezullim leje drejtimi por dyfishim gjobe”, tha për A2 CNN, eksperti Islam Qibini.

Autoritetet paralajmërojnë forcim të kontrolleve, sidomos në segmentet problematike, ndërsa apelojnë drejtuesit e mjeteve për më shumë përgjegjshmëri dhe respektim të rregullave të qarkullimit rrugor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos