Shkuan për të vrarë një person, arrestohen dy nga atentatorët, shpallet në kërkim objektivi

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2025, 14:17 | Kronikë

Shkuan për të vrarë një person, arrestohen dy nga

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka arrestuar 2 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, të akuzuar si të përfshirë në një shkëmbim zjarri në fshatin Rranxë në Shkodër, në fund të gushtit të vitit të kaluar, raporton A2 CNN.

Gjykata e Posaçme ka miratuar masat e sigurisë arrest me burg për katër persona, tre atentatorë, por edhe objektivin e atentatit. Por deri tani janë arrestuar vetëm dy prej atentatorëve, ndërsa i treti, si dhe objektivi i atentatit, janë shpallur në kërkim.

Çfarë ka ndodhur?

Nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23.08.2024, rreth orës 17.00 të pasdites personat nën hetim I.S., S.T. dhe F.L., bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.

Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim A.P. dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë.

Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga personi nën hetim A.P. Nga provat e siguruara në vendin e ngjarjes rezulton të ketë pasur shkëmbim zjarri, jo dëmtime të shëndetit të personave të përfshirë, por vetëm të mjeteve. Njëri nga mjetet me të cilën kanë lëvizur personat nën hetim, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në vendin e ngjarjes. Ai ka rezultuar i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkojnë po të njëjtit mjet.

Më 18 shkurt 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim I.S. dhe S.T. dhe janë shpallur në kërkim personat nën hetim F.L. dhe A.P.

Gjithashtu, në po të njëjtën datë, në zbatim të vendimit nr. 123, të datës 17.02.2025, të Gjykatës së Posaçme është ushtruar kontroll në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të cilat dyshohen se përdoren si baza për strehimin e personave nën hetim ose si vende, ku mund të gjenden prova për vepra penale, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Posaçme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos