Kontrabandë mallrash nga Greqia, nën hetim drejtori i hetimit doganor, dy specialistë dhe 3 doganierë

Nga A2 CNN
19 Prill 2025, 08:50 | Kronikë

Kontrabandë mallrash nga Greqia, nën hetim drejtori i hetimit doganor,

Drejtor i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, dy specialistë në këtë drejtori dhe 3 doganierë të Kapshticës janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre. Sipas Policisë 3 doganierët Vasfi Toska, Erjon Gozhdari dhe Anxhela Elezi shpërdoruan detyrën duke falsifikuar dokumentet e regjistrimit të një ngarkese me mallra ushqimore. Ndërsa drejtori i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Dorian Doka, dhe dy specialistët për Hetimin Doganor, Kejdi Kacupi dhe Genti Tashana nuk njoftuan organet kompetente, duke sjellë pasoja të rënda për hetimin e rastit.

Njoftimi i DVP Korçë

Shpërdoruan detyrën duke falsifikuar dokumentet e regjistrimit të një ngarkese me mallra ushqimore, procedohen penalisht 3 doganierë në Doganën e Kapshticës.

Procedohen penalisht Drejtori i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe dy specialistë për Hetimin Doganor, pasi nuk njoftuan organet kompetente, duke sjellë pasoja të rënda për hetimin e rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndaj shtetasve:

                •             V. T., 49 vjeç, banues në Korçë;

                •             E. G., 45 vjeç, banues në Tiranë;

                •             A. E., 39 vjeçe, banuese në Korçë.

 

Procedimi penal filloi pasi këta shtetas, me detyrë doganierë në Doganën e Kapshticës, dyshohen se më datë 15.04.2025, nuk kanë kryer praktikat doganore për kalimin e një kamioni që transportonte mallra ushqimore, duke e regjistruar këtë ngarkesë me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.

Gjithashtu, po nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Korçë, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndaj shtetasve:

                •             D. D., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave;

                •             G. T., 58 vjeç, dhe K. K., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, me detyrë specialistë për Hetimin Doganor në të njëjtën drejtori.

Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi, më datë 15.04.2025, rreth orës 22:00, janë njoftuar për rastin e falsifikimit të dokumenteve, të konstatuar në afërsi të PPK Kapshticë nga shërbimet e Antikontrabandës. Pavarësisht marrjes së këtij njoftimi, këta shtetas nuk kanë informuar Prokurorin e gatshëm apo strukturat për hetimin e krimeve pranë DVP Korçë deri në orën 15:00 të datës 16.04.2025 (pas më shumë se 15 orësh), duke sjellë pasoja të rënda për hetimin e këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos