Nis procedura e ekstradimit, fluturimi që “tradhtoi” Ermal Beqirajn në Francë

Nga Igli Çelmeta
29 Korrik 2026, 16:25 | Kronikë

Nis procedura e ekstradimit, fluturimi që “tradhtoi” Ermal

Drejtësia shqiptare ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar të shtunën në Francë. 44-vjeçari raportohet se është vendosur në paraburgim. Madje, këtë të mërkurë ai ka dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku i është komunikuar zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Brenda 40 ditëve, praktika e arrestit duhet t'u përcillet autoriteteve franceze. Nëse ai jep pëlqimin, kthimi në atdhe do të realizohet brenda pak ditësh; në të kundërt, procedurat do të jenë më të gjata, shkruan A2CNN. 

Beqiraj u ndal pasi fluturoi në lartësi të ulët me një avion të lehtë mbi centralin bërthamor të Penly. Pas sinjalizimit, Forcat Ajrore e shoqëruan deri në aeroportin e Albert, ku u ndalua nga policia për t'u marrë në pyetje.

Në dëshminë e tij, ai deklaroi se nuk kishte kryer veprime të qëllimshme dhe se, në atë moment, ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Pas vendosjes së një gjobe prej 7 mijë eurosh, biznesmeni u la i lirë, por u mbajt nën vëzhgim policor. Pas konstatimit se Shqipëria e kishte shpallur në kërkim, efektivët e ndaluan sërish në banesë, duke njoftuar edhe autoritetet në Tiranë.

Beqiraj u shpall në kërkim nga SPAK më 21 dhjetor 2025, gjatë hetimeve për tenderët e AKSHI-t. Dyshimet lidhen me veprimtarinë e kompanisë që ai zotëron, “Soft & Solution”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos