Seanca paraprake për dosjen “Partizani” është shtyrë për më 5 maj, raporton A2 CNN. Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi akuzohen për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, një pronë shtetërore me vlerë të konsiderueshme.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) pretendon se privatizimi është bërë në mënyrë të paligjshme, duke shkaktuar dëm të madh ekonomik shtetit. Sipas SPAK, Jamarbër Malltezi ka përfituar padrejtësisht pronën përmes ndikimit të Sali Berishës në institucionet shtetërore.
Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Malltezi akuzohet për “pastrim parash” dhe “korrupsion aktiv”. Hetimet kanë përfshirë edhe disa zyrtarë të tjerë që kanë qenë pjesë e procesit të privatizimit.
Berisha e ka cilësuar dosjen si një sulm politik ndaj tij dhe ka refuzuar të paraqitet në SPAK, duke u vetëshpallur i përndjekur politik. (A2 Televizion)