Shoqërimi dhe më pas lënia e lirë e Valter Bamit nga policia, nxori në pah një problematikë të sistemeve MEMEX dhe TIMS të Policisë së Shtetit, në të cilat shpeshherë nuk përditësohen të dhënat e vendimeve të gjykatave për qytetarët që më parë kanë pasur probleme me ligjin.
Kur u ndalua dhe shoqërua nga policia rrugore e Elbasanit, Valter Bami rezultonte në sistemin e policisë me “alert” me masë sigurie arrest shtëpie, për atentatin e 4 korrikut 2023 në Larushkë të Krujës, ku mbetën të plagosur fëmijët e të ndjerit Gentian Bejtja dhe u vra kunati i tij, Ramazan Sino.
Por, pas verifikimeve nga policia rezultoi se kjo masë ishte shuar që prej 8 muajsh nga gjykata për Valter Bamin, por nuk ishte bërë përditësimi në sistem. Ky nuk është një rast i izoluar pasi shpesh edhe qytetarë që më parë kanë pasur probleme me ligjin ndeshen çdo ditë me një situatë të tillë.
Sipas avokatit Henri Bici, i cili ka qenë edhe pjesë e komisionit hetimor për TIMS, kjo është një problematikë që vijon të mos gjejë një zgjidhje.
Avokati tregon se në kufi me sistemin TIMS janë rastet më të shpeshta. Sipas avokatit Bici zgjidhje duhet të jetë dixhitalizimi i ekzekutimit të vendimeve të gjykatave dhe përditësimi në kohë reale.
Kujtojmë që më parë sistemet e Policisë së Shtetit MEMEX dhe TIMS kanë rënë pre e sulmeve nga hakerat iranianë. (A2 Televizion)