Gjykata e Fierit ka dënuar me 25 vite burg një person të akuzuar për abuzim seksual me një të mitur.
“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, në përfundim të gjykimit u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vjet burg shtetasi Xh.V. për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” parashikuar në neni 100 i Kodit Penal”, njofton gjykata.
Organi i akuzës kishte provuar se, shtetasi Xh. V, duke përfituar nga gjendja ekonomike e familjes së të miturës dhe nga njohjet që ato kishin, e ka ftuar në banesë të miturën dhe mandej ka përfituar nga gjendja e saj vulnerabël duke kryer marrëdhënie seksuale me të.
Në kuadër të këtij procedimi i pandehuri Xh.V u arrestuar në flagrancë nga policia janarin e vitit 2023. Pas përfundimit të hetimeve, prokuroria e dërgoi për gjykim të pandehurin Xh.V, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”. (A2 Televizion)