Skandali i mikro-kredive, ku mijëra qytetarë dyshohet të jenë zhvatur përmes një skeme mashtruese dhe në dëm të interesave të tyre pasurorë, ka rrezikuar të mbyllet pa dërguar askënd para përgjegjësisë penale. Në mars të këtij viti prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës të pushojë çështjen penale të nisur për “mashtrim” dhe “mashtrim” me kredi, kërkesë që është refuzuar nga gjykata.
Hetimi në fjalë nuk ka gjetur asnjë parregullsi në veprimtarinë e shoqërive të mikrokredive “MicroCredit Albania” dhe “Final”, të njëjtat që një javë më parë u vendosën nën sekuestro, pas dyshimeve për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”.
Referuar vendimit të firmosur më 27 mars nga gjyqtari Gerd Hoxha, një kopje e të cilit zotërohet nga A2CNN, pas gati 2 vjet hetimi të kallëzimeve të qytetarëve që pretentonin se ju ishin falsifikuar mjetet e identifikimit dhe ju ishin marrë kredi në institucione financiare jo bankare pa dijeninë e tyre, prokuroria kërkonte pushimin e hetimit, me argumentin se nuk kishte elementë të veprës penale.
Ky qëndrim është vlerësuar si i papranueshëm nga ana e gjykatës, që ka urdhëruar kthimin e akteve në prokurori për vijimin e hetimit. Sipas gjykatës, prokuroria nuk kishte identifikuar dhe pyetur asnjë prej qytetarëve që kanë kallëzuar të jenë mashtruar me kredi, nuk janë hetuar as rastet e publikuara në një emisionin investigativ televiziv dhe as janë verifikuar pretendimet e kallëzuesve që kanë pohuar se familjarët e tyre kishin marrë telefonata ku ju ushtrohej presion vjeljen e detyrimeve që nuk i kishin.
Po sipas gjykatës nga ana e prokurorisë nuk ishin verifikuar pretendimet në lidhje me abuzimet për përcaktimin e kësteve të kredive dhe mënyrën e llogaritjes së tyre. Në përfundim, gjykata caktonte edhe detyra për prokurorinë, nga identifikimi i kallëzuesve, pyetja e tyre, administrimi i praktikave të tyre në shoqëritë kreditore, si edhe regjistrimi i personave apo shoqërive të dyshuara në regjistrin e veprave penale.
Dy muaj më parë Prokuroria e Tiranës caktoi nëntë masa sigurie ndaj administratorëve të shoqërive përmbarimore, të MCA, dhe disa përmbaruesve, ndërsa dy javë më parë u sekuestruan të gjitha kuotat dhe pasuritë e shoqërive “MCA” dhe “Final”. (A2 Televizion)