SPAK troket në derën e Veliajt, sekuestrohet telefoni i bashkëshortes së kryebashkiakut

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2024, 11:04 | Kronikë

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer ditën e sotme kontroll personal të bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxës. Jo zyrtarisht mësohet nga burime se bashkëshortes së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës i është sekuestruar një telefon celular, raporton A2 CNN.

Kontrolle agjentët e BKH kanë kryer edhe në shtëpinë e vëllait të Erion Veliajt. Duke mos dhënë detaje për kontrollet në një reagim zyrtar SPAK shkruan “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment”.

Megjithatë burime jo zyrtare bëjnë me dije se kontrolli është për llogari të hetimit pasuror që po zhvillohet ndaj kryebashkiakut. Ndërkohë , Erion Veliaj, ndodhet në Hamburg të Gjermanisë, për një vizitë dy ditore.

“Mëngjesin e sotëm disa agjentë të BKH-së kanë mbërritur në banesën e kryebashkiakut kjo për llogari të një veprimi hetimor të një kërkese të bërë nga SPAK dhe pranuar nga GJKKO. Deri në këto momente SPAK nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar mbi arsyen e mbërritjes së agjentë në banesën e Veliajt, por jo zyrtarisht kemi mësuar se veprimi i sotëm është për llogari të një hetimi pasuror. Pas vizitës së kryebashkiakut në SPAK si deklarues sa i takon hetimit të asaj kohe për inceneratorin e kryeqytetit. Ishte SPAK që në maj 2024 iu drejtua të gjitha bankave në vend ku kërkonte informacion jo vetëm për Veliajn, por edhe për familjarë të tij. Ndaj zotit Veliaj janë një sërë kallëzimesh të bëra nga PD që lidhin emrin e kryebashkiakut me një sërë abuzimesh të kryera si kryebashkiak i Tiranës”, raportoi gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami.

Sipas tij agjentët e BKH-së vijojnë të jenë ende në banesën e kryebashkiakut.

“Është një veprim hetimor në zhvillim që SPAK e ka të pamundur të japë një informacion të saktë. Në informacion jozyrtar agjentë e BLKH vijojnë të jenë ende në banesën e kryebashkiakut”, u shpreh gazetari i A2. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos