SPAK kërkon dënimin me 13 vite burg për Rezart Taçin për akuzën e “pastrimit parash”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, raporton A2 CNN.
Taçi u gjykua në mungesë në Gjykatën e Posaçme. Në pretencën e lexuar nga prokurori Klodian Braho, u kërkua konfiskimin i 18 milionë eurove të sekuestruara për llogari të këtij hetimi.
Shuma e eurove u sekuestrua në llogarinë e një shtetasi italian në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri dhe dyshohet se kishin për origjinë persona të lidhur me mafien.
Sipas dosjes së depozituar në Gjykatën e Tiranës, biznesmeni Taçi ka krijuar një skemë mashtrimi përmes TVSH-në. Referuar hetimit të nisur në vitin 2018, përmes një shoqërie tregtare në maj-dhjetor 2013, Taçi kryente transaksione fiktive mes shoqërive tregtare të krijuara prej tij, duke përfituar padrejtësisht, pasi priste më shumë fatura shërbimi, se sasia e furnizuar.
Sipas prokurorisë, kjo shoqëri ka kredituar padrejtësisht TVSH-në me vlerë 10.3 milionë lekë, si edhe me transaksion fiktiv ka rënduar shpenzimet e vitit padrejtësisht në gati 52 mln lekë.
Sipas hetimit, në periudhën maj-tetor 2013, shoqëria “Taçi Oil International Trading and Supply Company’ ka shitur 1.8 mln litra naftë, por ka faturuar sikur ka shitur 6.5 milionë litra. Rezart Taçi kërkohet nga drejtësia shqiptare prej nëntorit 2021. Ai akuzohet nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që po pastronte 18.3 milionë euro të mafies italiane. Pas një viti pezullim, në shkurt 2024 çështja kaloi për gjykim në Gjykatën e Posaçme. (A2 Televizion)