Nga kjo javë “21 janari” është zyrtarisht një çështje që do të hetohet nga SPAK. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi regjistrimin e një hetimi penal për vrasjen e Aleks Nikës, si edhe plagosjen e Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papës gjatë protestës së dhunshme të vitit 2011 para kryeministrisë.
Çështja u regjistrua nga SPAK në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë të marsit të këtij viti, që urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika. Sipas SPAK, hetimi është regjistruar për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, “shpërdorim të detyrës” e “kryerjes të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të treja kryer në bashkëpunim. Nga ana tjetër, referuar faktit se në Prokurorinë e Tiranës ishte një hetim i hapur për “21 janarin” titullari i SPAK, Altin Dumani, vendosi t’i kërkojë kësaj prokurorie të gjitha aktet e hetimit.
Ne kallëzimin e shkurtit 2023, që nuk u regjistrua nga SPAK, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli i Posaçëm, e veja e Aleks Nikës kallëzoi për “vrasje” dhe “grup kriminal” ish-kryeministrin, Sali Berisha, ish-ministrin e brendshëm, Lulëzim Basha dhe ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi.
Familjarët e Nikës pretenduan se zotëronin një audio-përgjim të komunikimeve të Gardës gjatë momenteve të protestës, ku flitej për hapje zjarri. Vendimi i Gjykatës së Lartë, që detyronte SPAK të regjistronte çështjen, iu referua edhe një vendimmarrje të Strasburgut, të nëntorit2023 në çështjen “Nika kundër Shqipërisë”, që theksonte mangësi në hetimin e21 janarit. (A2 Televizion)