Tre të vdekur dhe dy të plagosur rëndë është bilanci tragjik i një aksidenti automobilistik në Manzë të Durrësit në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Dy nga viktimat ishin një çift i ri i sapomartuar ndërsa edhe pasagjerët e tjerë ishin të afërm të tyre që po ktheheshin nga një darkë.
Rezultoi fatale për çiftin e sapomartuar rruga e kthimit nga darka me disa të afërm të tyre, teksa automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga duke u përplasur dhunshëm.
Kleo Vrioni dhe shtetasja italiane Sara Brungentelli kishin pak kohë që ishin martuar. Të gjithë personat në automjetin e aksidentuar, viktima e tretë dhe dy të plagosurit njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, ishin të afërm me drejtuesin e automjetit, të ndjerin Kleo Vrioni.
Paraprakisht dyshohet se humbja e kontrollit mbi mjetin dhe natyrisht shpejtësia e lartë kanë sjellë për pasojë edhe këtë bilanc tragjik të këtij aksidenti fatal.
Policia rrugore ende nuk ka dalë me një version zyrtar mbi shkaqet e plota të këtij aksidenti, ku përveç veprimeve të drejtuesit të mjetit, edhe rruga e pavijëzuar, në mungesë të sinjalistikës dhe ndriçimit kanë patur ndikimet e tyre në këtë ngjarje të rëndë. (A2 Televizion)