Gjykata e Posaçme zhvilloi të martën seancën e shqyrtimit të paraprak të dosjes “5D” me 8 të pandehur, mes të cilëve 3 ish-drejtorë të drejtorive të Bashkisë Tiranë. Pasi u njoh me akt-akuzën e SPAK dhe pretendimet e të pandehurve, gjykata shty seancën për më 14 shkurt në orën 12:00, ku do të vendosë nëse do të kalojë për gjykim çështjen, do ta pushojë, apo kthejë në SPAK për plotësim të hetimeve.
Të pandehur në këtë çështje janë ish-drejtorët Redi Molla, Taulant Tushe dhe Mariglen Qato, si edhe Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku dhe Nestor Muhametllari. Sipas burimeve, të gjithë të pandehurit kërkuan të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar, lloj gjykimi që në rast fajësie, ju garanton uljen e një të tretës së dënimit.
Të pandehurit e dosjes “5D” akuzohen në role të ndryshme për “korrupsion pasiv” e “korrupsion aktiv të funksionarëve shtetërore”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
Sipas SPAK, të pandehurit ishin pronarë “de facto” të shoqërisë “5D”, shoqëri të cilës zyrtarët e Bashkisë Tiranë i kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, duke e shpallur fituese në 12 procedura tenderuese. (A2 Televizion)