
Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit Skerdilajd Isufi në Kavajë, ngjarje që ndodhi pas konfliktit për parkimin e makinës.
Në pranga ka rënë Land (Puja) Derjai, i cili pas sherrit dyshohet se goditi disa herë me thikë Skerdilajd Isufin, që ndërroi jetë pas plagëve të marra.
Autori i dyshuar i kishte kërkuar të ndjerit të largonte makinën, por ai kishte refuzuar, çka solli një konflikt verbal që u përshkallëzua në përdorimin e thikës, që rezultoi fatale për 48-vjeçarin.
“Goditi disa herë me mjet prerës, gjatë një konflikti për motive të dobëta, një 48-vjeçar i cili si pasojë humbi jetën, Policia, pas disa orësh kërkimesh, lokalizoi, kapi dhe arrestoi autorin e dyshuar. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (thikë) që autori dyshohet se përdori për të goditur 48-vjeçarin. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, pas disa orësh kërkimesh e kontrollesh për kapjen e autorit të vrasjes me mjet prerës të 48-vjeçarit, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit:
L. D., alias L. P., 48 vjeç, banues në lagjen nr. 3, Kavajë. Ky shtetas dyshohet se më datë 21.02.2026, rreth orës 14:22, në lagjen nr. 3, Kavajë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur disa herë me mjet prerës (thikë) shtetasin S. V., alias S. I., 48 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën. Autori i dyshuar, pas goditjes me mjet prerës, u largua nga banesa, por u kap pas disa orësh kërkimesh dhe kontrollesh nga shërbimet e Policisë. Gjithashtu, gjatë veprimeve të para hetimore dhe kërkimeve për gjetjen e provave materiale, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se autori goditi, me pasojë humbjen e jetës së 48-vjeçarit S. V., alias S. I.”, thuhet në njoftim.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)