
Identifikohen emrat e anëtarëve të dyshuar të grupit kriminal të drejtuar nga Jetmir Pepaj alias Jetmir Marashi. A2 CNN raporton se ata janë: Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj, Jetmir Pepaj alias Jetmir Marashi, Albert Pjetri, Fatjon Marku, Anton Marku alias Anton Tamure, Florjan Vuka alias Vathaj, Kristjan Lleshi, Klevi Leka, Lulzim Pepa, Anton Kola dhe Ilir Lazri.
Sipas hetimeve të SPAK, aktiviteti i grupit kriminal është zhvilluar gjatë viteve 2019–2021 në Amerikën Latine dhe në disa shtete europiane si Holanda dhe Belgjika, ku janë dokumentuar të paktën 8 episode të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës përmes porteve të Roterdamit dhe Amsterdamit.
Në dosje përmenden disa ngarkesa të mëdha droge të fshehura në kontejnerë me produkte ushqimore si fruta të ngrira, peshk ton, banane dhe rrush të thatë, me sasi që variojnë nga qindra kilogramë deri në mbi 2 ton për episod.
Hetimet kanë zbuluar mbi 7 ton kokainë të trafikuar, një pjesë e së cilës është sekuestruar nga autoritetet europiane gjatë operacioneve ndërkombëtare.
Gjithashtu, GJKKO ka sekuestruar 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë të përllogaritur rreth 12 milionë euro. (A2 Televizion)