Janë zbardhur detaje të reja nga hetimet lidhur me tragjedinë në Itali ku humbën jetën katër anëtarët e familjes shqiptare nga monoskidi i karbonit. Sipas mediave italiane, të mërkurën në mbrëmje një telefonatë mbërriti në shërbimin e urgjencës 112 në Toskanë.
"Motra ime është e sëmurë, nuk e dimë çfarë po i ndodh." Telefonuesi ishte 22-vjeçari shqiptar, Hajdar Kola. Vajza, Xhesika, është 15 vjeç dhe është në dhomën e saj, e ulur në shtrat, pa ndjenja. Babai dhe nëna e saj, Arti dhe Jonida, 48 dhe 43 vjeç, ishin aty për ta ndihmuar. Situata u përshkallëzua kur po bëhej thirrja e emergjencës. Operatori dëgjon dy të rriturit që i bien të fikët, dhe pastaj djali që telefonoi gjithashtu bie përtokë.
"Jemi në Via Galgani në numrin 168," arrin të thotë Jonida Kola para se të humbasë ndjenjat. Fatkeqësisht, ajo gabon, adresa nuk është e saktë. Ndoshta sepse ka qenë e turbullt nga efektet e monoksidit të karbonit, ajo i kthen dy shifrat e fundit të numrit të shtëpisë. E sakta është 186, tjetra është rreth 300 metra larg shtëpisë së familjes Kola. Për këtë arsye, ambulanca, e cila mbërrin shumë shpejt, nuk ishte në gjendje t'i gjente viktimat për një kohë të gjatë.
Ekuipazhi provon shtëpitë aty pranë, telefonon për të marrë përsëri numrin e rrugës dhe më pas kërkon të lokalizojë telefonin, por pa sukses, koha vazhdonte të kalonte. Karabinierët kontaktohen gjithashtu për të gjetur adresën duke përdorur numrin e celularit të të riut. Duhet pak kohë dhe vëllai i Artit, i cili jeton afër telefonon policinë dhe më në fund, rreth orës 21:45, pothuajse dy orë pas telefonatës së parë, oficerët hyjnë në apartament. Në katin e parë, tavolina është shtruar për darkë. Më pas ngjiten në dhomën e Xhesikës në katin e dytë dhe arritën të zbulojnë trupat e pajetë.
Familja Kola mbërriti në Itali pesë vjet më parë. Pasi punoi në Greqi, babai Arti Kola gjeti një punë në Toskanë dhe u ribashkua me gruan dhe fëmijët e tij në zonën e fabrikës së letrës në Lucca, ku jeton dhe punon një komunitet i madh shqiptar. Ai ishte piktor dhe djali i tij ishte teknik elektrik. Vajza, nga ana tjetër, ishte në klasën e tetë. Për një kohë ata jetuan në një qytet aty pranë, por pesë muaj më parë u zhvendosën në shtëpinë në Via Galgani që kishin blerë.
Zyra e prokurorit të Luccës sekuestroi apartamentin dhe mbylli kaldajën, e cila ishte e re, kishte pak kohë që ishte instaluar. Hetimet kanë vërtetuar se një rrjedhje monoksidi karboni bllokoi ajrin pa u vënë re, pasi gazi është pa erë. Zjarrfikësit do të hetojnë shkakun e rrjedhjes. Ata do të përcaktojnë nëse rrjedhja u shkaktua nga një problem instalimi ose mirëmbajtjeje me kaldajën apo tubat e shkarkimit. Është gjithashtu e rëndësishme të përcaktohet se kush e instaloi kaldajën vetë familja apo teknikë të jashtëm. (A2 Televizion)