Ishte ora 01:15 minuta pas mesnate kur një shpërthim u dëgjua në kryeqytet. Një lokali në rrugën “Ramazan Gaxherri”, në Dajt iu vendos lëndë plasëse në ambientin e tij të jashtëm.
Në atë orë të natës biznesi ishte i mbyllur dhe dëmet ishin vetëm materiale me thyerje xhami në vetratën e jashtme.
Për të identifikuar autorët apo motivet e tritolvënies, policia mori në pyetje pronarin e biznesit të 44-vjeçarit Sotiraq Halili.
Pronari i lokalit i tha policisë se ai dhe familjarë të tij nuk kanë konflikte me njeri, duke mohuar në këtë mënyrë që të ketë dijeni mbi rrethanat e kësaj ngjarje.
Por nga ana tjetër, policia e Tiranës, e konkretisht efektivë të komisariatit numër 4 që mbulojnë zonën ku ndodhi shpërthimi me lëndë plasëse janë duke e hetuar këtë ngjarje në dy pista kryesore.
E para për shkak të ndonjë konflikti të mundshëm që 44-vjeçari apo familjarë të tij mund të kenë me persona të tjerë dhe pista e dytë është ajo për shkak të konkurrencës.
Nga kamerat e sigurisë hetuesit kanë zbuluar se autor është një person i vetëm i cili sapo hedh tritolin në pjesën e jashtme të lokalit largohet menjëherë. Por ai mbetet ende i paidentifikuar nga policia. (A2 Televizion)