Avokatët deputetit demokrat Ervin Salianji kanë depozituar një ditë më parë, në Gjykatën e Tiranës, një kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burg.
ARSYETIMI I MBROJTJES:
"Rezulton se kërkuesi është deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht nënkryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi sjell mbarimin e mandatit të deputetit, në kuptim të nenit 71, pika 2, gërma “dh”, të Kushtetutës së Shqipërisë.
E po ashtu, për shkak të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi pengon edhe kandidimin e tij në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen në periudhën prill – maj 2025, ku zoti Salianji është caktuar drejtues politik i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit.
Në këtë kuptim, është e qartë se ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit penal sjell pasoja shumë të rënda për të dënuarin, i cili përveç kufizimit të lirisë, sjell edhe ndërprerjen e menjëhershme të karrierës së tij politike dhe pengon vijimin e kësaj karriere pas kryerjes së dënimit.
Nga ana tjetër, për shkak se deputeti është përfaqësues i popullit, kjo sjell edhe ndërprerjen e përfaqësimit të qytetarëve të qarkut Korçë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët kanë votuar dhe zgjedhur si përfaqësuesin e tyre deputetin Ervin Salianji në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Dënimi i një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë në detyrë, e veçanërisht dënimi sepse ka kryer një denoncim publik në përmbushje të funksionit të tij si deputet i Partisë Demokratike dhe në ushtrim të lirisë së shprehjes të garantuar Kushtetuta e Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përbën një rast të veçantë, e në këtë kuptim kjo kërkesë është në përputhje edhe me nenin 476, pika 1, gërma “ç”, të Kodit të Procedurës Penale..."
Kujtojmë se Gjykata e Apelit shpalli disa ditë më parë vendimin e formës së prerë për Ervin Salianjin, i cili akuzohet për kallëzim të rremë në dosjen "Babale", duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e kishte dënuar me 1 vit burg.
Përveçse do të përfundojë pas hekurave, Salianji mund të humbasë edhe mandatin si deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Korçës.
Neni 71.1 i Kushtetutës përcakton se deputeti e humb mandatin e tij kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Konstatimi i humbjes së mandatit të tij do të formalizohet përmes Këshillit të Mandateve në Kuvend që njofton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vakancën e krijuar. Në momentin që KQZ njoftohet se është krijuar një vakancë në Kuvend, përcakton se cilit qark dhe cilës forcë politike i përket mandati i mbetur bosh.
Gjasat janë që mandati i Salianjit t’i takojë ish-prefektit të qarkut të Korçës, Andrea Mano. Një ditë para se të merrej vendimi, deputeti demokrat lëshoi në A2 CNN, akuza ndaj gjyqtarit të shkallës së parë, që e dënoi me një vit burg. (A2 Televizion)