Ish-deputeti Ervin Salianji do të vuajë dënimin me një vit burg për “kallëzim të rremë” në burgun e Fierit, aty ku mbërriti rreth orës 20:10 të së premtes.
Pasditen e të premtes ai u vetëdorëzua në drejtorinë e policisë së Tiranës, ku qëndroi për 60 minuta për procedurat, e për t’u dërguar më pas në ambientet e burgut.
Gjatë gjithë ditës, ai pothuajse qëndroi në selinë e PD-së ku rreth mesditës dha dhe një deklaratë për mediat.
Vetë Salianji e konsideroi vendimin si politik e njëkohësisht dekoratë në karrierën e tij. Vendimi i Apelit u parapri nga një riçelje e pjesshme e shqyrtimit gjyqësor.
Gjatë saj, Apeli administroi si provë një vendim të Prokurorisë për Krimet e Rënda për pushimin e çështjes penale lidhur me akuzën e trafikut të drogës, të paraqitur nga avokatët e Geron Xhafajt.
Në seancën e kaluar, avokatët e Salianjit pretenduan se ky vendim ishte bërë pjesë në dosjen e gjykatës së parë në kundërshtim me ligjin. Vendimin që i heq jo vetëm lirinë, por edhe mandatin e deputetit, Salianji tha se do të bënte me qejf dhe se nuk do ta ndalonte së bëri opozitë as në qeli. (A2 Televizion)