U dyshua se humbi jetën për shkaqe natyrale, Policia e Durrësit vë në pranga një 42-vjeçar për vrasjen e 59-vjeçarit

Nga A2 CNN
18 Prill 2026, 13:50 | Kronikë

U dyshua se humbi jetën për shkaqe natyrale, Policia e Durrësit

Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur 5 ditë më parë në në lagjen nr. 18, të këtij qyteti, ku humbi jetën një 59-vjeçar.

Fillimisht u dyshua se viktima kishte humbur jetën për shkaqe natyrale, por hetimet e mëtejshme treguan se ai ishte përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me një 42-vjeçar, i cili e ka goditur me grushte. Si pasojë, 59-vjeçari ka rënë në asfalt dhe ka ndërruar jetë. nga pasojat e goditjeve dhe rënies.

Policia ka vënë në pranga 42-vjeçarin, i dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

 

Njoftimi i DVP Durrës

U dyshua se humbi jetën për shkaqe natyrale, pas kryerjes së veprimeve hetimore, Policia zbardh ngjarjen.

Vihet në pranga një 42-vjeçar, i dyshuar si autor për vrasje nga pakujdesia.

42-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte 59-vjeçarin, i cili ka humbur ndjenjat duke rënë në asfalt, ku më pas ka ndërruar jetë.

Specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bazuar në dyshimet e arsyeshme të krijuara pas humbjes së jetës së 59-vjeçarit, shtetasit S.M., ku paraprakisht u dyshua se humbi jetën për shkak të arrestit kardiak, vijuan veprimet për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës.

Pas veprimeve intensive hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi G.K., 42 vjeç, më datë 13.04.2026, në lagjen nr. 18, Durrës, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin S.M., 59 vjeç, dhe më pas e ka goditur me grushte, si pasojë shtetasi S.M. ka humbur ndjenjat, ka rënë në asfalt dhe më pas ka humbur jetën.

Fillimisht u raportua se ky shtetas ka humbur jetën për shkaqe natyrale, por pas dyshimeve të krijuara dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, nën drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se ky shtetas nuk ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.

Në vijim të veprimeve, shtetasi G.K., 42 vjeç, banues në lagjen nr. 18, Durrës, u ndalua për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos