Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, kur mijëra nxënës kthehen në bankat e shkollës, policia e Elbasanit ndërmori një megaoperacion të gjerë kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në ambientet shkollore dhe përreth saj.
Pas më shumë se një viti hetimesh, prokuroria firmosi 39 masa arresti, pjesa më e madhe e të cilave u ekzekutuan që në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, e të tjerët u shpallën në kërkim.
Në operacion morën pjesë një numër i lartë agjentësh, të mbështetur edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Në pranga mësohet se kanë rënë jo vetëm shpërndarës, por edhe persona të dyshuar si organizatorë të grupeve kriminale, disa prej të cilëve me precedentë të mëparshëm penalë.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar armë zjarri, si 3 kallashnikovë dhe pistoleta, lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, si dhe celularë e pajisje elektronike që dyshohet se përdoreshin për komunikim të koduar mes anëtarëve të grupeve.
Zyrtarisht policia nuk ka bërë ende me dije emrat e të prangosurve, por burime bëjnë me dije se gjatë fazës hetimore, për të faktuar aktivitetin kriminal të këtyre personave janë kryer vëzhgime të shumta në terren, si dhe janë bërë blerje të stimuluara me agjentë policie të infiltruar. (A2 Televizion)
Droga në shkolla/ 39 urdhër-arreste, aksion i madh i policisë në Elbasan, sekuestrohen armë e kokainë
