Agron Çeli, drejtor i rendit publik pranë Policisë së Shtetit, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit” të mesditës me Bruna Çifligun, në A2 CNN, zbuloi se çfarë përmban paketa e sigurisë në shkolla.
“Oficeri i sigurisë, duke mbajtur kontakte me drejtuesit e shkollës dhe mësuesit, ka detyrimin që në hyrje të shkollës të kontrollojë të gjithë nxënësit që hyjnë e dalin nga shkolla. Në rast se në pushimet e gjata, nxënësit dalin, do të kontrollohen sërish kur hyjnë. Mund të bëjë kontroll fizik të nxënësve tek ata që dyshon, për nxënës që kanë sjellje jo të rregullt. Pasi konstaton problematika, vë në dijeni drejtuesin e shkollës dhe punonjësin e Policisë së Shtetit që është caktuar për atë zonë”, tha Çeli.
“Asnjëherë punonjësi i Policisë nuk ka detyrimin për të kontrolluar i vetëm nxënësit që hyjnë në shkollë”, shtoi Çeli.
Kur u pyet nëse oficeri i sigurisë mund të ndërhyjë nëse ka një sherr mes nxënësve në një rrugë pranë shkollës, Çeli u përgjigj: “Në rast se e shikon, duhet të informojë menjëherë. Nëse nxënësit bëjnë sherr jashtë shkollës, ndërhyn punonjësi i policisë dhe bën izolimin e këtyre personave, pavarësisht se janë të mitur. Njoftohet shkolla dhe prindi dhe nisin procedurat për një hap të dytë”.
“Paketa e sigurisë jep detyrimet për garantimit të rendit dhe sigurisë në shkolla. Policia e Shtetit merr përsipër nëpërmjet perimetrit të përcaktuar në ambientet e jashtme të shkollës dhe do të jetë për sigurimin e rrugës, për moslejimin e personave me precedentë kriminalë, ndalimin e tregtarëve ambulantë... Pra, Policia e Shtetit ka detyrime jashtë ambientit të shkollës, ndërsa brenda ambientit të shkollës mund të ndërhyjë me kërkesën e oficerit të sigurisë dhe të drejtuesit të shkollës”, theksoi më tej Çeli. (A2 Televizion)