Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj thekson se Ahmed Vahidi është truri i luftës dhe organizimit të Iranit në konfliktin përballë SHBA-ve.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Demiraj vuri në dukje potencialin e frikshëm ekonomik që zotëron Garda Revolucionare si strukturë në Iran.
Po ashtu Demiraj shtoi se nga pikëpamja ushtarake, Garda Revolucionare, nuk pyet për institucionet e tjera si Parlamenti, apo Presidenti.
“Tashmë fatkeqësisht Irani është trimëruar shumë herë më tepër. Sot Iranin e drejton Garda Revolucionare. Është Ahmed Vahidi njeriu kryesor, komandant i Gardës. Nuk ka një të centralizuar, një person që të drejtojë gjithë sistemin politik dhe ushtarak. Marrja e drejtimit të Iranit nga përfaqësuesit e linjës së ashpër, i ka trimëruar, pasi po ia ndalon kalimin dhe kontrollin flotës amerikane”, tha Demiraj.
“Dihet është Ahmed Vahidi. Është një nga personat, nga më të vjetrit, që ka qenë në detyra shumë të larta dhe është një nga personat që drejton një sasi të frikshme të ekonomisë iraniane. Garda Revolucionare ka një kompleks industrial, naftë, gaz, qindra milionë dollarë, për të vazhduar aktivitetin e tyre, nga ana financiare. Ndërsa nga ana ushtarake këta s’pyesin asnjë, as Presidentin, as kryetarin e Parlamentin, as ministrin e Jashtëm”, u shpreh ish-ministri. (A2 Televizion)