“Dua drejtësi! Ndoshta që prind të tjerë të mos vuajnë këtë që po vuaj unë. Që një nip të mos rritet pa nënë”.
Hamdie Haka priti shtatë vjet, që Gjykata e Apelit të Përgjithshëm të zhvillonte seancën e parë ndaj dy mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni”,që i akuzon për vdekjen e vajzës së saj, Dorina Haka.
25 vjeçarja, bashkëshorte e portierit të “Partizanit”, Alban Hoxha, ndërroi jetë në vitin 2014 pak ditë pasi solli në jetë një fëmijë përmes një lindjeje me operacion.
Seanca e parë ndaj dy mjekëve në gjykatën e Apelit, ku presin gjykim më shumë se 37 mijë dosje gjyqësore, dështoi. Shkak u bë mosnjoftimit të njërit prej tyre, ndërsa seanca e radhë u la për më 15 shkurt.
Përveç drejtësisë, familjarët e 25 vjeçares Haka presin gjyq në një kohë të arsyeshme. “7 vite janë shumë. Shpresoj shumë që të mos zvarritet më shumë. Jemi një familje, që vetëm vuajmë, vuajmë, vuajmë”.
Dy mjekët e pandehur në këtë çështje, Elona Burba dhe Petrit Rexhepi në vitin 2014 u shpallën fajtorë nga Gjykata e Tiranës dhe u dënua me nga 400 mijë lekë gjobë për “mjekim të pakujdesshëm”, ndërsa prokuroria kishte kërkuar dënime me nga 5 vite burg për ta.
Sipas Gjykatës së Tiranës mjekët kishin neglizhuar në ushtrimin e detyrës pasi e kanë futur 25 vjeçaren Haka në sallë për lindje, pa i bërë më parë analiza. (A2 Televizion)