Vodhën 4 motomjete elektrike dhe sende të tjera në një biznes në Lushnjë, një i arrestuar dhe një i shpallur në kërkim

Nga A2 CNN
29 Qershor 2025, 10:35 | Kronikë

Vodhën 4 motomjete elektrike dhe sende të tjera në një

Një person ka rënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia në Lushnjë, pasi dyshohen se gjatë natës vodhën 4 motomjete elektrike dhe sende të tjera në një biznes në Savër.

Veprimet e Policisë nisën pas kallëzimit të një shtetasi dhe pas hetimeve të Policisë rezultoi se autorët e vjedhjeve ishin një 38-vjeçar dhe një 34-vjeçar, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Lushnjë/Veprime hetimore për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tyre. 

Vodhën gjatë natës 4 motomjete elektrike dhe sende të tjera në një biznes në Savër, vihet në pranga njëri prej autorëve, shpallet në kërkim autori tjetër.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas kallëzimit nga shtetasi I. S., se në biznesin e tij në lagjen "Savër", i kishin vjedhur sende të ndryshme, gjatë natës, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e vjedhjes dhe identifikimin e autorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, është bërë e mundur identifikimi i autorëve.

Në vijim të veprimeve operacionale u bë e mundur kapja e njërit prej tyre, shtetasit E. P., 38 vjeç, banues në Pirrë, si edhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi O. D., 34 vjeç, banues në Lushnjë. Po punohet për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 34-vjeçarit.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos