Vranë 72-vjeçarin dhe e hodhën në përrua, arrestohet autori i ngjarjes dhe çifti i të moshuarve

Nga A2 CNN
22 Gusht 2024, 12:51 | Kronikë
 

Kreu i Policisë së Gjirokastrës Ardian Çipa në një konferencë për mediat ka njoftuar arrestimin e autorit kryesor të ngjarjes që tronditi Memaliajn, ku një 72-vjeçar u vra me mjete të ftohta dhe u hodh në një përrua.

Çipa tha se vrasja e Faik Hajdinit në fshatin Zhapokikë ka ndodhur për shkak të konflikteve me motive të dobëta ndërmjet viktimës dhe bashkëshorteve Skënder dhe Darovi Hajdini.

Këta të fundit kanë nxitur 23-vjeçarin Blerti Kanushi dhe i kanë krijuar kushtet e siguruar mjetet për kryerjen vrasjes. I riu në bashkëpunim me Sadik Hajdinin i kanë marrë jetën 72-vjeçarit më datë 19 gusht rreth orës 07:00 të mëngjesit.

Pas kryerjes së krimit Skënder Hajdini dhe bashkëshortja e tij kanë tentuar të zhdukin provat e krimit, ndërsa djali i tij Bledar Hajdini në dijeni të plotë për ngjarjen ka përkrahur autorin e ngjarjes duke e ndihmuar të largohet nga vendngjarja për t'i shpëtuar policisë.

"Nga sqarimi i rrethanave të ngjarjes dhe mekanizmit të ndodhjes së saj, nga ana jonë është organizuar puna për lokalizimin e kapjen e shtetasit Blerti Kanushi dhe sekuestrimin e të gjitha provave që dokumentonin autorësinë e tij në këtë krim të rëndë. Në vijim të hetimeve, më datë 20.08.2024 në orën 23:30, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

- Skënder Ajdini, 71 vjeç për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 78/25, 80 dhe 302 të Kodit Penal;

-Bledar Ajdini, 43 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.

Gjithashtu, në ndjekje të vazhdueshme dhe të pandërprerë të veprimeve operacionale dhe hetimore në terren, më datë 22.08.2024, ora 03:00, u arrestua në flagrancë shtetasi Blerti Kanushi, 23 vjeç për vepren penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/25 i Kodit Penal dhe shtetasja Darovi Ajdini, 64 vjeçe, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 301 dhe 302 i Kodit Penal." (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos