Prokuroria e Durrësit nisi hetimet mbi transportimin e ngarkesës me 816 ton mbetje të dyshuara të rrezikshme pluhur, nga filtrat e furrave të çelikut të kompanisë Kurum, të nisur më 4 korrik 2024 nga porti i Durrësit drejt Tajlandës.
Ministria e Mjedisit konfirmoi se ngarkesa kishte dalë nga zona e ish-Metalurgjikut të Elbasanit, ku kompania ndërkombëtare Kurum ushtron aktivitetin. Përmes një njoftimi për median, Prokuroria e Durrësit konfirmoi se ka regjistruar procedimin penal për 3 vepra: kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara, transportim i mbetjeve dhe shpërdorim detyre.
Ndërkohë, mbetjet ishin deklaruar në doganë nga kompania private si oksid hekuri, pra si mbetje që nuk ishin të rrezikshme. Fillimisht, ka qenë Policia e Durrësit që kreu procedurat paraprake të verifikimit dhe procedimit penal, duke ia kaluar më tej dosjen prokurorisë, ndërsa për transportin e mbetjeve si nënkontraktor është një tjetër kompani private shqiptare, e cila po hetohet për transportim të mbetjeve toksike.
Dogana ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për ngarkesën, por Prokuroria e Durrësit po kontrollon të gjithë dokumentacionin doganor nëse procedurat janë kryer siç duhet apo edhe nëse ka mangësi në to.
Alarmi për anijet me mbetje të rrezikshme u lëshua nga Baz Election Network, një organizatë jofitimprurëse amerikane që ndjek tregtinë e lëndëve toksike. Sipas kësaj organizate, më shumë se 800 ton pluhur nga furra elektrike u ngarkuan në portin e Durrësit në muajin korrik dhe kishin si destinacion final Tajlandën. Pluhuri është një produkt mbeturinash të rrezikshme që zakonisht vjen nga riciklimi i hekurit të përdorur dhe përmban okside metalesh toksike, të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.
Kontenierët e nisur nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, do të kthehen sërish në Shqipëri. (A2 Televizion)