Vrasja e biznesmenit te dera e shtëpisë në Tiranë, Policia gjen edhe armën e krimit

Nga A2 CNN
13 Janar 2025, 19:10 | Kronikë
Vrasja e biznesmenit te dera e shtëpisë në Tiranë, Policia
Arma e krimit me të cilin dyshohet se u vra biznesmeni Bujar Nasufi

Policia e Tiranës pasi gjeti motorin e djegur të autorit të vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi mbrëmjen e djeshme në zonën e Pallatit me Shigjeta në Tiranë, ka gjetur aty pranë edhe armën e zjarrit me të cilin besohet se u krye ekzekutimi.

A2 CNN bën me dije se arma e gjetur është automatik i shkurtër, e cila njësoj si motori është djegur nga autori. Arma është dërguar gjithashtu në laborator për ekspertizë.

Arma dhe motori janë gjetur të shkrumbuara në zonën e Kodrës së Diellit, ndërsa tashmë janë duke iu nënshtruar një ekspertize të thelluar nga drejtoria e Policisë së Tiranës.

Kujtojmë se Nasufi ishte pronar i një mobilerie dhe ekzekutimi i tij ndodhi teksa ai ishte me bashkëshorten e tij në makinë, pranë derës së shtëpisë.

Deri më tani nuk janë identifikuar autorët dhe nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, por Policia po heton edhe për konflikte familjare, pasi dyshohet se viktima ka pasur konflikte pronësie me anëtarë të fisit të tij, shkruan A2 CNN.

Për të identifikuar autorin, hetuesit kanë sekuestruar disa kamera sigurie përgjatë zonës. Në pamje duket autori i krimit, i cili me kapuç në kokë është munduar që të fshehë identitetin e tij.

Atentatori ka qenë duke e pritur viktimën në afërsi të banesës. Kanë qenë dy automjete, një e viktimës dhe tjetra e vëllait të tij që kanë qenë duke u afruar në banesë. Të dyja familjet jetojnë në një godinë, pallat që e kanë ndërtuar para disa vitesh.

Fillimisht në rrugicën është futur mjeti i të vëllait, ndërsa pas saj ka qenë mjeti i viktimës. Sapo ky i fundit ka dashur të parkojë në rrugë, autori është afruar dhe e ka qëlluar dhe më pas është larguar me motor.

Nga verifikimet ka rezultuar se autori ishte i kamufluar si shpërndarës picash dhe u largua me një motor të zi në drejtim të zonës së Selitës, shkruan A2 CNN.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Në lidhje më ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku u vra me armë zjarri shtetasi B.N, ju informojmë se: Në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet të djegur, i cili dyshohet se i përket autorit.

Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore përkatëse me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos