SPAK përfundoi hetimin për vrasjen e Fatbardh Licit, gushtin e vitit 2018 në Shkodër, duke ngarkuar me përgjegjësi penale 4 persona për ngjarjen.
Sipas SPAK, vrasja e Licit është kryer për hakmarrje nga Safet Rustemi (Bajri), Behar Brajoviq dhe Astmer Bilali, ndërsa ndihmëse e tyre ka qenë edhe Eria Ago, ish-partnere e Safet Bajrit.
Dosja ndaj tyre është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ku SPAK kërkon gjykimin e Bajrit, Brajoviqit dhe Bilalit për “vrasje meparamendim” për hakmarrje, “grup të strukturuar kriminal”, “kryerje të vepravenga organizata dhe grupi kriminal” dhe “armëmbajtje pa leje”, shkruan A2 CNN.
Ndërsa e pandehuri Eria Ago, akuzohet për “përkrahje të autoirit të krimit”. Hetimi i SPAK, i ndihmuar edhe të dhënat e SKY ECC të sjella nga agjensitë partnere, ka zbuluar se vrasja e Fatbardh Licit ka qenë një nga ngjarjet kriminale të ndodhur në një zinxhir krimesh mes familjes Bajri dhe Lici në qytetin verior, konflikte që, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë lidhur me kontrollin e territorit të qytetit të Shkodrës.
SPAK pretendon se ekzekutimi i Licit ka ardhur si përgjigje ndaj vrasjes së Boran Bërcanës dhe bashkëshortes së tij, Silvi Ndoci në korrik 2018 në Shkodër, ngjarje që i pandehuri Behar Brajoviq ia ka atribuar Ibrahim Licit, nipit të Fatbardh Licit.
Në shenjë hakmarrjeje, të pandehurit kanë organizuar dhe vënë në zbatim planin për vrasjen e Fatbardh Licit më 10 gusht 2018 në Shkodër. Ata kanë ditur orën se kur Fatbardh Lici shkonte për kafe tek lokali me qira i të vëllait, Sokol Lici.
Safet Bajri (Rustemi) dhe Astmer Bilali janë afruar përmes një automjeti “Mercedes” të vjedhur. Nga dera e pasagjerit ka zbritur i pandehuri Astmer Bilali, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Fatbardh Licit, duke e lënë atë të vdekur.
Mjeti është djegur më pas në zonën e Dobraçit. Referuar hetimit të SPAK, pas krimit Safet Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa Bilali është larguar drejt Tiranës së bashku me të pandehurën Eria Ago, që rezulton të ketë përkrahur autorët pas kryerjes së vrasjes. (A2 Televizion)
