Vrasja e Gentian Bejtjes, mbyllet hetimi për ndihmësin, gjuajtësit ende në arrati

Nga Armand Bajrami
18 Mars 2025, 17:02 | Kronikë

Një vit pas vrasjes së Gentian Bejtjes në oborrin e banesës së tij në Larushk të Fushë-Krujës, Prokuroria e Tiranës, mbylli hetimin vetëm për një ndihmës të autorëve të krimit.

Ilir Beqaraj, i arrestuar pas ngjarjes,  është marrë i pandehur nga prokuroria, e cila i kërkon Gjykatës së kryeqytetit gjykimin e tij për “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “armëmbajtje pa leje” dhe “falsifikim të letërnjoftimeve”.

Sipas prokurorisë së Tiranës, Ilir Beqaraj, i njohur edhe me mbiemrat Brahimi apo Mançellari, ka pasur rolin e ndihmësit në ngjarje. Hetimi ka provuar se Beqaraj ka mundur të largojë 4 autorët e dyshuar të vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan, ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen.

Nga analizimi i pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në zonë është provuar se në kohë të ndryshme ai ka lëvizur me mjetin e tij në afërsi të banesës së viktimës.

Në automjetin tip “Golf” të përdorur nga vrasësit e Bejtjes, për t’u larguar pasi kanë djegur automjetin e përdorur në krim, është gjetur profil ADN-je i Beqarajt. Profil gjenetik është gjetur edhe për Flodian Plakun, i shpallur në kërkim nga drejtësia. Ndërkohë, prokuroria e Tiranës vijon hetimin për identifikimin e autorëve të krimit.

Gentian Bejtja u qëllua pranë banesës së tij në Larushk më 15 mars 2024, në një kohë që ishte në kërkim nga policia. Ai u qëllua me breshëri automatike nga katër persona. Policia Shkencore vlerësoi se nga 4 kallashnikovëve të gjetur në mjetin e djegur të autorëve, nga 3 prej tyre ishin derdhur plumba drejt 43 vjeçarit. Para ngjarjes Bejtja i kishte mbijetuar tre atentateve.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos