Policia ka arrestuar edhe Gjon Shkambin, xhaxhain e autorit që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja. Xhaxhai akuzohet për vrasje në bashkëpunim.
Gjithashtu, në pranga ka rënë edhe roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. A2 CNN mëson se roja i sigurisë është pjesë e administratës së Gjykatës së Apelit.
Autori, Elvis Shkambi, qëlloi pas shpalljes së vendimit për një konflikt pronësie, duke plagosur edhe dy persona të tjerë. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë në gjykata, pasi arma u fut pa u kontrolluar për shkak të mosfunksionimit të skanerit metalik.
Akti i rëndë ndodhi pasi gjyqtari i ndjerë Kalaja dha vendimin kundër palës humbëse. Arma u shkreh në korridorin pranë sallës së gjyqit, shkruan A2 CNN.
Autori i ngjarjes, Elvis Shkambi, 30 vjeç nga Shkodra, ndodhej në sallën e gjyqit së bashku me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi. Ai nxori nga brezi pistoletën dhe qëlloi tre herë drejt gjyqtarit Kalaja, duke plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, me të cilët kishte qenë në konflikt pronësie.
Fatmirësisht, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, xhaxhai i autorit është marrë në pyetje nga policia.
Ngjarja e rëndë ka ngritur dyshime të mëdha për mënyrën se si u arrit të futej një armë zjarri brenda një gjykate. Efektivët e policisë shoqëruan punonjësin e sigurisë, i cili duhet të kishte parandaluar një akt të tillë.
Burime nga gjykata bëjnë me dije se shkak ka qenë mosfunksionimi i skanerit detektor, që sinjalizon sendet metalike. Nuk dihet ende sa kohë kjo pajisje ka qenë jashtë funksionit dhe pse nuk është riparuar, ndërkohë që procedurat për çdo pajisje sigurie në gjykatat e vendit duhet të kalojnë në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Konflikti kishte nisur mes familjes Shkambi dhe 31 familjeve banore të një godine në Shkodër.
Familja Shkambi pretendonte se ishte pronare e tokës dhe e godinës, që sipas tyre ishte tjetërsuar gjatë regjimit komunist, duke u mbështetur në një akt të kthimit dhe kompensimit të pronave të vitit 1993.
Por me vendimin e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, 31 familjeve iu njoh e drejta e pronësisë, vendim që pasoi me tragjedinë brenda sallës së gjyqit.
(A2 Televizion)