Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe plagosjes së dy personave të tjerë.
Përmes një njoftimi për mediat, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shkruan se janë thellësisht të tronditur lidhur me këtë ngjarje të rëndë, shkruan A2 CNN.
Duke dënuar me forcë këtë akt të dhunshëm, Prezenca e OSBE-së shkruan se sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Teksa mbështet përpjekjet për më shumë siguri dhe pavarësi të sistemit gjyqësor, Prezenca e OSBE-së kërkon hetim të shpejtë dhe të pavarur të ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme.
Reagimi i Prezencës së OSBE:
Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.
I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve.
Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Ndërsa rrethanat e plota të sulmit janë ende nën hetim, ne mirëpresim arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të vendosjes së drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë.
Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor. (A2 Televizion)