Pasi kanë kryer një kontroll të dytë në makinën e djegur, tip Audi A4, që dyshohet se është përdorur nga autorët e vrasjes së Klaudio Prendit, ekspertët e krimeve kanë gjetur edhe një pistoletë. Arma e krimit është gjetur plotësisht e djegur.
Prendi u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të 19 nëntorit, me pistoletë me silenciator.
Policia po heton mbi disa pista, përfshi edhe ato që lidhen me profesionin e të atit, ish-gjyqtarit Fran Prendi, i cili deri në vitin 2020 ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe ka gjykuar çështje të rëndësishme të krimit të organizuar.
Sipas burimeve për A2 CNN, viktima kohët e fundit kishte pasur edhe konflikte me persona të tjerë, për çështje borxhi. Madje, ditët e fundit Prendi ishte konfliktuar edhe fizikisht me disa persona për shkak se nuk kishte kthyer një borxh prej 15 mijë eurosh.
Babai i viktimës, ish-gjyqtari Fran Prendi, në dëshminë e tij ka thënë që ishte në dijeni që djali i tij kishte konflikte me të tjerë, por jo aq të rënda sa për të përfunduar në një atentat. Makina luksoze që përdorte viktima nuk ishte në emër të tij, por të një vajze. (A2 Televizion)