“Mesditën e 21 prillit 2021 në Elbasan, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, ish-efektivi i RENEA, Arbër Paplekaj, vrau Pjerin Xhuvanin në kushtet e tronditjes së rëndë psikike”.
Ky ishte përfundimi i Gjykatës së Apelit, që vendosi të zbusë dënimin me 22 vite burg dhënë nga Gjykata e Elbasanit për Paplekajn në një dënim me 7 vite heqje lirie.
Sipas Apelit, ish-efektivi i RENEA-s nuk është fajtor për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, por për “vrasje në kushte të tronditjes së rëndë psikike”. Në të njëjtin vendim, Apeli shpalli të pafajshëm të bashkëpandehurit e Paplekajt, ish-efektivë të Policisë së Elbasanit, të fajësuar nga Shkalla e Parë për “shpërdorim të detyrës”, mes të cilëve edhe dy ish-zv.drejtorët, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla.
Në Apel çështja u rihap pjesërisht. Tre ekspertë që kryen një akt të ri ekspertimi në vendin e ngjarjes dhe këqyrën pamjet filmike të saj, vlerësuan se Paplekaj ka hapur zjarr në mënyrë instiktive, pasi ka shquar persona të armatosur në krah të viktimës, Pjerin Xhuvani.
Ditën e ngjarjes, Arbër Paplekaj, ishte pjesë e një grupi vullnetar pranë Shtabit të Partisë Demokratike. Pasi sinjalizuan policinë për një mjet pa targa në të cilin kishin dyshime se kishte armë të ftohta dhe materiale zgjedhore, ata u gjendën nën sulmin fizik dhe verbal të një grupi personash, mes të cilëve edhe Pjerin Xhuvani. (A2 Televizion)