Vrasja e Renato Hoxhës në Vlorë, A2 CNN siguron videon e autorit duke u larguar nga vendi i ngjarjes

Nga Edi Ruçi
30 Prill 2025, 12:33 | Kronikë

A2 CNN ka siguruar një video ku shfaqet një person i cili dyshohet se është autori i vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxha pak ditë më parë në Vlorë. Në pamje duket një person me kapuç i cili largohet nga rrugica ku u krye edhe ekzekutimi i viktimës.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se vrasësi ishte i pajisur me një maskë silikoni që i mbulonte të gjithë fytyrën, kishte vendosur një bark artificial, si dhe kishte mbajtur maskë AntiCovid dhe kapele për të fshehur çdo detaj të identitetit të tij.

Mëngjesin e të mërkurës, për këtë ngjarje të rëndë u arrestua një person, i cili dyshohet të ketë bashkëpunuar në këtë vrasje. Bëhet fjalë për shtetasin Erlis Mehmeti, i cili sipas burimeve policore dyshohet se ka vënë në dispozicion të vrasësit, automjetin e tij.

Në përpjekje për të humbur gjurmët, automjetit të Mehmetit i ishin vendosur një palë targa të tjera të vjedhura, mëson A2 CNN. Në momentin e ndalimit, policia i ka sekuestruar Mehmetit edhe aparatin celular ky dyshohet se mund te ketë biseda me autoret e dyshuar.

Sakaq, burimet policore bëjnë me dije se kanë edhe një person të dyshuar si autor i vrasjes së Renato Hoxhajt, por që dyshohet se pas krimit të jetë larguar drejt Greqisë. Është pikërisht ky personi që shfaqet në video, duke u larguar pas vrasjes.

Ndonëse ende nuk ka një pistë zyrtare të deklaruar, burimet pranë grupit të hetimit shprehen se motivet e ekzekutimit të 58-vjeçarit kanë të bëjnë me ngjarje të mëparshme kriminale në qytetin e Vlorës ku i ndjeri dyshohet që mund të ketë luajtur rolin e informatorit mes grupeve rivale kriminale.

Dhe për këtë arsye dyshimet janë që vrasja e tij mund të jetë porositur nga jashtë vendit. Gjithsesi arrestimi i një prej bashkëpunëtorëve të dyshuar pritet që të përforcojnë më shumë pistat e ngritura të cilat duket se po çojnë në zbardhjen e kësaj vrasjeje, e cila në momente e para dukej sikur ishte kryer pa lënë gjurmë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos