Gjykata e Lartë vendos të prishë dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, i dënuar për vrasjen e ish-policit, Santiago Malko, gushtin e vitit 2019 në Tiranë. Sipas Gjykatës së Lartë dosja do të kthehet për rigjykim në Apel me një tjetër trupë gjykuese.
Në qershor 2022, Teta u dënua në Apel me 25 vite burg, duke konfirmuar vendimin që e shpallte fajtor për vrasjen e ish-efektivit të Policisë.
Malko u ekzekutua më 27 gusht 2019 brenda makinës së tij. Teta u shpall fajtor në Shkallën e Parë për “vrasje për hakmarrje”.
Viktima Malko ishte i dyshuar si i përfshirë në vepra të ndryshme penale. Një ndër to, ka qenë edhe një ngjarje në vitin 2018, në zonën e ish-Kinostudios, ku mbetën të plagosur dy vëllezër, Juxhin dhe Rivelino Mumajesi. Ngjarja është ende pa autor, por Malko ishte i dyshuari kryesor. (A2 Televizion)