Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka kërkuar nga gazetarët që mos t’i bëjnë pyetje për dinamikën e ngjarjes apo sesi u fut arma e zjarrit në burgun e Peqinit, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në këtë institucion të vuajtjes së dënimit ditën e sotme.
Teksa fliste me gazetarët, Manja iu drejtua familjarëve të të dënuarve duke i garantuar se situata jo vetëm në Peqin, por në të gjitha burgjet e vendit, është nën kontroll.
Po ashtu, ai bëri të ditur se në vijim, pasi të merret në pyetje edhe i dënuari, do të ketë një komunikim për opinionin publik.
“Për orën e dinamikën, e të tjerat, mos më bëni pyetje që cënojnë hetimin. Do të nxjerrim t’i gjitha përgjegjësitë e institucionit tonë. Do t’i shkojmë deri në fund," deklaroi ndër të tjera ministri.
Ai deklaroi se të gjitha burgjet kanë kaluar në nivelin e sigurisë së lartë dhe sqaroi edhe urdhrin e sotëm për vendosjen e vrasësit Sokol Mjacaj në regjimin ''41bis'', rreth dy orë para publikimit të lajmit për krimin që kreu brenda burgut.
Kujtojmë se pasditen e sotme, i burgosuri Sokol Mjacaj pasi është kthyer nga zona e ajrimit, është afruar në qelinë ku ndodhej Arben Lleshi bashkë me Indrit Shaqjan.
Më pas ai ka hapur zjarr duke i marrë kështu jetën Lleshit dhe duke lënë të plagosur Shaqjan. (A2 Televizion)