Gjykata e Posaçme ka vendosur këtë të martë të pushojë hetimin e nisur ndaj kreut të bandës së durrësit, Lulëzim Berisha dhe kunatit të tij, Plaurent Dervishaj, për akuzën e vrasjes së biznesmenit Vajdin Lamaj në vitin 2005.
GJKKO pranoi kështu kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve, pas tentativës së parë të dështuar nga organi i akuzës, pasi dosja iu kthyes për plotësim të hetimit. Në vendimin e GJKKO thuhet se SPAK ka faktuar se nuk ka prova të mjaftueshme që implikojnë Berishën dhe Dervishajn në vrasjes e Lames.
"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 23.09.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Pushimin e hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 252/1/1, të vitit 2022 në ngarkim të personave nën hetim Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj, proceduar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 328 pika 1, shkronja dh) dhe 329, pika 3 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 116, datë 15.10.2024, vendosi: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me nr. 116 regj.them, datë regjistrimi 23.09.2024. Pushimin e hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 252/1/1, të vitit 2022, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj personit në hetim Plaurent Dervishaj, hetuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal, pasi në referim të nenit 328, pika 1, shkronja dh) të K.Pr.Penale, nuk provohet se e ka kryer veprën penale për të cilën është hetuar. Pushimin e hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 252/1/1, të vitit 2022, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj personit në hetim Lulzim Berisha, hetuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal, pasi në referim të nenit 328, pika 1, shkronja dh) të K.Pr.Penale, nuk provohet se e ka kryer veprën penale për të cilën është hetuar."
Akuza ndaj Berishës dhe Dervishajt për këtë vrasje u ngrit pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili rrëfeu disa ngjarje kriminale duke përfshire emra të njohur të botës së krimit.
Presidenti i Federatës së Boksit, Vajdin Lamaj dhe sipërmarrësi Artan Arsi u vranë në 27 shkurt të vitit 2005, në ashensorin e një prej kullave pas stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Një sasi eksplozivi shpërtheu në ashensorin e pallatit, pasi Lamaj dhe miku i tij Arsi po ngjiteshin në një prej kateve të sipërme të kullës.
(A2 Televizion)