Vrasja e vëllait të Talo Çelës,  i penduari nxjerr "Nipçen", "Kushon" e "çunat e Fushë Krujës"

Nga Armand Bajrami
17 Qershor 2025, 16:55 | Kronikë

Në Elbasanin e vitit 2020, Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës, bënte taksistin, por për Erion Alibejn, ishte shumë më tepër se kaq. Përveçse vëllai i personit që i dëshironte vdekjen, sipas Alibejt, Bujar Çela përmes taksisë bënte punë dhe lëvizje për Talo Çelën, e kësisoj, duhet të ekzekutohej.

Detajet e planifikimit të vrasjes u rrëfyen të martën në gjykimin e dosjes “Plumbi i artë” nga i penduari Alibej. Fillimisht ai tha se kishte dashur t’i faturonte vrasjen e Emiliano Ramazanit Bujar Çelës, duke përdorur të pandehurin Xhuliano Hoxha. Këtë të fundit Alibej tha se e paguante sistematikisht për ta mbajtur të informuar mbi Bujar Çelën, pa i treguar direkt për planin e vrasjes.

“Bujar Çela kishte një pikë shumice afër shtëpisë. Përmes Xhuliano Hoxhës deshëm të gjejmë diçka që Bujari e kishte prekur me dorë, një qese, apo diçka. Doja që në të të fusnim armën e krimit dhe ta groposnim tek shtëpia. Më pas do sinjalizoja policinë përmes Leonard Palushit. Nuk e arritëm dot këtë dhe diskutuam, që duke qenë njeri i afërt i Talos, por edhe pse përmes taksisë bënte punë e lëvizje për Talo Çelën, vendosëm ta ekzekutonim”. 

Alibej tha se fillimisht për krimin u angazhua Skerdi Tasi dhe Henrik Hoxhaj, që i referohej me nofkat “nipçja” dhe “kushoja”, por më pas ata u tërhoqën. Pas këtij momenti Nuredin Dumani ka futur në lojë ata që i penduari Alibej i cilësonte si “çunat nga Fushë-Kruja”, Besmir Xhixha dhe Enver Diva. Alibej nuk kujtonte saktë sa i kishte kushtuar kjo vrasje, por rrëfeu se pas saj pranoi të arrestohej. 

“Në lidhje me lokalin ku u ekzekutua kishim informacion shumë kohë më parë. Tek kafja në fillim kanë qëlluar çunat e Fushë Krujës, më pas ka qëlluar dhe Nuredini. Pasi ka ndodhur, Nuredini më ka njoftuar në SKY ‘mbaroi Bujari’. Kam dërguar 60 a 70 mijë euro tek një karburant në Vore. Nuk mbaj mend aty i morën cunat e Fushë Krujës, apo Nuredini. Të nesërmen, e pashë nga kamerat që kisha montuar në lagje, që po vinte një autokolonë policie. E dija që ishin për arrestim. Nuk kam bërë rezistencë. Kam plotësuar ato formularët. Më arrestuan e që nga ajo ditë jam këtu”. 

Dëshmia e Alibejt u ndërpre disa herë nga reagimet e forta të të pandehurit Xhuliano Hoxha, i cili pretendoi se nuk kishe asnjë lidhje me vrasjen e Bujar Çelës. Disa herë ai etiketoi si “palaço” të penduarin, ndërsa e quajti me ironi edhe “Tomaso Bucheta”, i penduari i famshëm të organizatës mafioze italian Cosa Nostra.

Reagimet e tij nuk ndikuan në qetësinë e të penduarit, qënë përgjigje të tij i tha gjykatës se “Unë flija dhe zgjohesha veç për Talo Çelën. Ata trimat që rrinin në Dubai hodhën në rrugë si qen edhe njerëzit e vet. I identifikuan”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos