Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar ekspertimin mjeko-ligjor dhe ka zbardhur shkaqet e vdekjes së 42 vjeçarit Egli Proga në Pogradec, ngjarje që shkaktoi reagim të madh në media dhe opinion publik për shkak se në fillim u raportua si aksidental dhe më pas u zbulua se mund të bëhej fjalë për një vrasje.
Sipas aktit të ekspertimit, shkaku i vdekjes së 42-vjeçarit është hemorragjia në cipën e trurit dhe hemorragji e indit trunor që mendohet se ka ardhur si pasojë e goditjeve me grushte.
Gjithashtu në trupin e viktimës, shkruan A2, u zbuluan dhe gjurmë të pranisë së alkoolit në vlerën mesatare 2.82 g/ L.
Ndërkohë, akt-ekspertimi mjeko-ligjor i është dërguar Prokurorisë së Korçës e cila po vijon hetimet për vrasjen e Egli Progës.
Për këtë ngjarje është vënë në pranga Denis Meçe si i dyshuar për vrasjen e Egli Progës, ndërsa për 3 të arrestuarit e tjerë Voltan Shulku, Arian Manellari e Leonidha Guçe, gjykata ka vendosur detyrim paraqitje. (A2 Televizion)