Gjykata e Durrësit la në burg Esmerald Ballën i cili vrau babanë e tij. E njëjta masë udha dhe për bashkëpunëtorin Edison Brahaj që e ndihmoi ta hidhnin trupin në pus në Shënavlash.
Gjatë seancës së masës së sigurisë në Durrës Balla u shfaq i penduar ndërsa i qëndroi versionit të tij të parë se ngjarja ndodhi pas një konflikti me babain dhe se e kishte qëlluar për vetëmbrojtje.
30-vjeçari akuzohet se vrau babanë pas konflikteve të vazhdueshme për një shumë prej 75 mijë eurosh në kasafortën e kursimeve që kishte humbur dhe të dy akuzonin njëri tjetrin. Pas konfliktit në stanin e familjes Esmeraldi qëlloi me pistoletë 62-vjeçarin Enver Balla.
Më tej ai kërkoi ndihmën e Brahajt e të dy hodhën trupin e të ndjerit në pus. Ngjarja fillimisht u denoncua si humbje kontaktesh nga vetë Esmeraldi por policia dyshonte për krim në familje.
Pas seancave të pyetjeve lidhur me konfliktin babë e bir 30-vjeçari tregoi për ngjarjen e rëndë dhe çoi hetuesit tek pistoleta dhe pusi ku kishte hedhur trupin e babait të tij. (A2 Televizion)