Seanca gjyqësore për vlefshmërinë dhe caktimin e masës së për të miturin Mario Perlleshaj, i akuzuar për vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani te shkolla "Fan Noli" në kryeqytet do të zhvillohet në ambientet e spitalit privat ku ai po trajtohet me ndihmë mjekësore.
Perlleshaj dyshohet se goditi me thikë në zemër bashkëmoshatarin e tij pas një sherri mes tyre pak metra larg shkollës “Fan Noli”.
14-vjeçari është arrestuar nën akuzën “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ditën e djeshme lidhur me këtë ngjarje u zhvillua edhe një protestë në kryeqytet, nga prindër të nxënësve, shoqëruar me fëmijët e tyre. Ajo që mbeti pas nga protesta, ishin shenjat dhe gjurmët e duarve me ngjyrën e kuqe (simbol të gjakut) në muret e ministrisë së Arsimit.
Mesazhi kryesor i prindërve dhe pjesëmarrësve në protestë ishte kërkesa për dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastriliu, të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për ngjarjen e rëndë dhe situatën e arsimit. Prindërit i kanë lënë një afat deri në fundjavë ministres për të dhënë dorëheqjen në të kundërt javën e ardhshme kanë paralajmëruar tjetër protestë.
Kjo ka qenë protesta e parë e këtij lloji që pas ngjarjes së rëndë që tronditi shoqërinë shqiptare, duke kërkuar jo më cilësi për arsimin, por siguri për fëmijët. Ishte një protestë paqësore me mesazhe nga prindër e nxënës. Të gjithë prindërit që protestuan për dy orë përsëritën thirrjen për siguri në shkolla. (A2 Televizion)