Zbardhen dy grabitjet me armë në bankat e Tiranës, autorit i sekuestrohen një shumë parash

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2026, 11:28 | Kronikë

Zbardhen dy grabitjet me armë në bankat e Tiranës, autorit i

Policia e Tiranës ka zbardhur dy vjedhjet me armë të kryera në dy filiale bankare në kryeqytet, ndërsa ka goditur edhe një rast të trafikimit të lëndëve narkotike përmes Aeroportit të Rinasit.

Në kuadër të operacionit të koduar “Gjuetari i Bankave”, është identifikuar dhe ndaluar shtetasi Robert Duka alias A. Duka, 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy grabitjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të ndodhura më 2 qershor 2026 dhe 2 nëntor 2026, në dy filiale bankare në Tiranë.

Sipas Policisë, identifikimi i tij u bë i mundur falë hetimeve të thelluara, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 8 200 euro, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve dhe dy aparate celularë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve.

Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Fly”, është arrestuar një shtetas grek, 51 vjeç, i identifikuar me inicialet M. P., i dyshuar për trafikimin e lëndëve narkotike përmes Aeroportit të Rinasit.

Gjatë kontrollit të bagazheve të pasagjerëve të linjës Athinë–Rinas, në një valixhe u gjetën dy paketime me material bimor, të dyshuar si Cannabis sativa.

Pas hetimeve, policia identifikoi poseduesin e dyshuar të valixhes, i cili ishte larguar nga aeroporti menjëherë pas mbërritjes. Ai u lokalizua dhe u arrestua në flagrancë në rrugën e Durrësit, nën akuzën e trafikimit të narkotikëve. Lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos